Më 16 shkurt 2025, Shoqata Speleologjike Shqiptare organizoi një ekspeditë studimore të jashtëzakonshme në juglindje të Shqipërisë, në zonën e Vromonerit pranë Leskovikut, ku ndodhet një nga mrekullitë më enigmatike dhe pak të njohura të natyrës shqiptare – shpella e Kopilës dhe liqeni termal nëntokësor tashmë i njohur si Liqeni Neuron.
Pas lajmeve të bujshme të ekspeditës çeke që i dhanë emrin “Neuron” këtij liqeni të pazbuluar më parë, Shoqata jonë reagoi me shpejtësi për të organizuar një vizitë shkencore. Objektivat kryesorë të kësaj ekspedite ishin:
Përcaktimi i saktë i vendndodhjes dhe identitetit të shpellës
Mbledhja e dëshmive lokale dhe legjendave që e shoqërojnë këtë formacion
Analiza fiziko-kimike e ujit të liqenit
Hartimi i një profili morfologjik dhe gjeologjik të zonës
Ekspedita u përbë nga një ekip prej 10 personash, ndër ta ekspertë shqiptarë të speleologjisë dhe gjeologjisë, si dhe një specialist i ardhur posaçërisht nga Italia, z. Diego Lorenzi. Prania e tij shtoi vlerë shkencore ndërkombëtare këtij misioni eksplorues.
E vendosur në koordinatat 40°06’02.1″N 20°40’28.7″E, shpella ndodhet tërësisht në territorin shqiptar, pranë kufirit me Greqinë. Legjenda vendase që shoqëron këtë formacion është e zymtë, por domethënëse për trashëgiminë kulturore të zonës: një bej i pasur i Leskovikut urdhëroi hedhjen në këtë humnerë të një shërbëtoreje shtatzënë, për të fshehur një tradhti bashkëshortore. Kjo histori u ruajt gojarisht dhe mbetet pjesë e kujtesës kolektive të komunitetit vendas.
Shpella përshkruhet si një humnerë karstike me thellësi rreth 130 metra, që përfundon në një sallë të gjerë nëntokësore. Aty ndodhet liqeni termal me ujëra të pasura në përbërje sulforike. Gjatë zbritjes, u vërejtën shtresime të rregullta gëlqerori marnoz dhe formacione të dukshme që dëshmojnë për rrjedhjen e ujërave në të kaluarën.
Muret e shpellës janë të mbuluar me kristale gipsi dhe kore squfuri, elementë që dëshmojnë për një aktivitet të vazhdueshëm kimik dhe gjeologjik në këtë mjedis të izoluar. Në thellësi ndodhet një liqen i brendshëm me temperatura të ndryshme dhe një pH lehtësisht acid, që mbështet hipotezën e një origjine termale dhe aktiviteti të bakterieve sulfo-oksiduese.
Matjet e realizuara me pajisjen HANNA HI98194 pH/EC/DO Multiparametër, të siguruar në bashkëpunim me Administratën e Zonave të Mbrojtura Vlorë, dhanë rezultatet e mëposhtme:
Parametri | M1B1 Sip. | M2B1 Thell. | M3B2 Sip. | M4B2 Thell. |
---|---|---|---|---|
Temperatura (°C) | 16.71 | 25.30 | 16.45 | 25.32 |
pH | 6.51 | 6.60 | 6.61 | 6.15 |
EC (µS/cm) | 18 | 1589 | 11 | 1604 |
Oksigjeni (%) | 72.5 | 0.0 | 74.0 | 0.0 |
Këto të dhëna konfirmojnë natyrën termale dhe sulforike të liqenit dhe ndikimin e përbërjeve minerale në përbërjen e ujit.
Shpella e Kopilës dhe liqeni Neuron përfaqësojnë një trashëgimi të rrallë natyrore dhe shkencore për Shqipërinë. Ato kërkojnë mbrojtje të kujdesshme, studime të vazhdueshme dhe një qasje të kontrolluar ndaj çdo lloj vizite. Ekosistemi i liqenit është kompleks dhe i ndjeshëm, me potencial për të zbuluar forma të reja jete në mjedise ekstreme.
Shoqata Speleologjike Shqiptare i bën thirrje autoriteteve përgjegjëse, institucioneve shkencore dhe publikut të interesuar që të mbështesin studime të mëtejshme dhe ruajtjen e këtij thesari të rrallë natyror.
Shkurt 2025
Shoqata Speleologjike Shqiptare
Ky artikull është hartuar mbi bazën e raportit zyrtar të ekspeditës dhe i nënshtrohet të drejtës së autorit. Përdorimi i tij lejohet vetëm me citimin e burimit.