Na ndiqni ne rrjetet tona sociale Facebook dhe Instagram Shoqata Speleologjike Shqiptare & Shpetimi Alpin dhe Speleologjik i Shqiperise per tu informuar me shum rreth
Operacioneve & Eventeve tona !
OPERACION !
Të premten e datës 21 Marsit 2025 një skuader e Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik të Shqipërisë e cila funksionon në kuadër të Shoqatës Speelologjike Shqiptare u aktivizua pas thirrjes së ardhur nga shërbimi zjarrfikës se një turist i huaj ka humbur orientimin në Malin e Dajtit. Pas marrjes së thirrjes menjëherë u organizua një skuadër dhe u nis në drejtim të vendit të ngjarjes, pas marrjes së kontaktit me Policine e Shtetit dhe Shërbimin Zjarrfikës, në bashkëpunim me këto ekipe u nis në drejtim të personit që kishte hasur probleme në orientim, të ndihmuar dhe nga zjarri i ndezur prej tij arritja të personi u bë më e lehtë, personi ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe menjëherë nisi shoqërimi i turistit me shtetësi Çeke, iniciale M.S, 33 vjeç në vend më të sigurt dhe dorëzimit të tij te shërbimet e Policisë së Shtetit. Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë falenderon të gjithë pjesmarrësit në këtë mision kërkim - shpëtimi.
OPERACION !
Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë pranoi në datën në 03 majit 2025 rreth orës 14:00 një thirrje nga Emergjencat Civile se zonën e Qafë-Burrelit kishte ndodhur një aksident ku raportohej sipas informacionit fillestar se një masiv dheu ishte shkëputur, duke bllokuar një person në një terren të vështirë, dhe kërkohej ndihmë me teknika të specializuara. Menjëherë pas marrjes së thirrjes, u organizua një skuadër e Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik, e cila u nis drejt vendngjarjes me pajisjet e nevojshme për operacionin e kërkim-shpëtimit.Pas mbërritjes në vendngjarje, skuadra konstatoi se aksidenti kishte ndodhur në një fabrikë të pasurimit të kromit, ku kishte ndodhur një vërshim uji nga një prej rezervuarëve ujëmbledhës. Si pasojë, një mjet punues ishte marrë përpara nga rrjedha, dhe dyshohej se bashkë me të ishte edhe një person i zhdukur, edhe pse natyra e aksidentit nuk përshtatej me fushat tona të operimit, skuadra filloi menjëherë kërkimet, duke inspektuar të dyja anët e përroit deri në një distancë prej rreth 3–3.5 km nga vendi i aksidentit. Pavarësisht përpjekjeve intensive, nuk u arrit të identifikohej asnjë shenjë e personit të zhdukur apo e mjetit punues. Në mbrëmje, për shkak të rrezikut të vazhdueshëm nga dy rezervuarë më të vegjël në pikën e aksidentit, operacioni u pezullua për të rifilluar mëngjesin e datës 4 maj. Edhe gjatë ditës së dytë, kërkimet nuk dhanë rezultat, dhe nuk u gjetën shenja të personit të zhdukur. Duke marrë parasysh rrezikun e vazhdueshëm dhe natyrën e aksidentit, skuadra e Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik, në bashkëpunim me një skuadër të Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, e cila erdhi në mbështetje, vendosi të pezullojë operacionin deri në një informacion të dytë nga strukturat shtetërore. Operacioni me pas u zhvillua nga Agjencia Kombetare e Mbrojtjes CIvile, Forcat e Armatosura te Shqiperise dhe Forca e Sigurise se Kosoves, operacioni u mbyll ne daten 12 maj me gjetjen e trupit te personit i cili fatkeqesisht kishte humbur jeten. Falenderojmë të gjithë ata që morën pjesë në këtë operacion kërkim-shpëtimi, veçanërisht skuadrën e Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës për gatishmërinë dhe bashkëpunimin e tyre të vlefshëm.
DIte e Hapur !
Adrenalinë, Mësim dhe Bashkëpunim: Stërvitja e Hapur e Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik të Shqipërisë në Dajt. Në datat 03 dhe 04 maj 2025 u planifikua një stërvitje e hapur por që për shkak të angazhimit të skuadrës në një operacion kërkimi u mbajt vetëm gjatë datës 03 maj. Mali i Dajtit u kthye në një fushë trajnimi të gjallë dhe plot adrenalinë, duke mirëpritur stërvitjen e hapur të organizuar nga Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik. Kjo ngjarje e veçantë mblodhi bashkë të rinj entuziastë nga Universiteti i Sporteve dhe individë të tjerë kuriozë, të cilët ndajnë pasionin për natyrën, sfidat dhe dëshirën për të zotëruar teknikat thelbësore të shpëtimit në terrene të vështira. Pjesëmarrësit patën mundësinë unike për të eksploruar botën e shpëtimit alpin dhe speleologjik nën drejtimin e instruktorëve me përvojë të Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik. Përgjatë dy ditëve, ata u njohën me një sërë teknikash praktike, duke përfshirë: -Lëvizjen dhe sigurimin në terren malor: Si të lëvizësh në mënyrë të sigurtë në shpate të pjerrëta dhe terrene shkëmbore, si dhe përdorimi i litarëve dhe pajisjeve të tjera të sigurimit. Teknikat e ngjitjes dhe zbritjes: Mësimi i bazave të ngjitjes me litar dhe teknikat e kontrolluara të zbritjes (rappel). Shpëtimi në humnera dhe shpella: Njohje me sfidat e shpëtimit në mjedise nëntokësore dhe përdorimi i pajisjeve specifike. Përveç mësimit të teknikave, stërvitja theksoi rëndësinë e bashkëpunimit, komunikimit efektiv dhe punës në grup – elemente kyçe për suksesin në operacionet e shpëtimit. Pjesëmarrësit ndanë eksperienca, sfiduan veten dhe krijuan lidhje të reja me njerëz që ndajnë të njëjtin interes. Për të rinjtë nga Universiteti i Sporteve, kjo stërvitje ishte një mundësi e shkëlqyer për të plotësuar njohuritë e tyre akademike me aftësi praktike të vlefshme, të cilat mund t'i shërbejnë në karrierën e tyre të ardhshme. Për të gjithë pjesëmarrësit, ishte një hap i rëndësishëm drejt rritjes së vetëdijes për sigurinë në natyrë dhe gatishmërisë për të ndihmuar në situata emergjente. Shpëtimi Alpin dhe Speleologjik i Shqipërisë falenderon të gjithë pjesmarrësit në aktivitet dhe ju ftojmë të na ndiqni për tu bërë pjesë e aktiviteteve tona.